Zbulohet “shtëpi kanabisi” në Shkodër, arrestohen disa persona
Policia e Shkodrës ka zbuluar një “shtëpi kanabisi", ku ishin përshtatur disa ambiente për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike të llojit kanabis.
Gjatë operacionit policor janë arrestuar disa persona, përfshirë kushërinj mes tyre, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në kuadër të aksionit janë ndaluar gjithashtu edhe katër persona të tjerë dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi në ambientet ku kultivohej droga ishin konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
“Nga kontrollet e kryera në dy banesa dhe një stallë, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë rast, organet e hetimit kanë nisur ndjekjen penale për veprat “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim.