Ferizaj: Ndëshkohen katër shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacion
Foto: Laura Hasani

Ferizaj: Ndëshkohen katër shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacion

Kronika November 01, 2025 - 16:44

Policia në rajonin e Ferizajt përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka ndëshkuar katër shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor, pas kontrollimeve dhe patrullimeve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor.

Sipas njoftimit të Policisë thuhet se rastet janë evidentuar në disa lokacione të ndryshme të komunës së Ferizajt, raporton Zeri.info.

Njoftimi i Policisë:

Në rrugën “Brahim Ademi”, është ndaluar shoferi A.J. (22 vjeç), i cili po qarkullonte me 90 km/h në zonën ku kufiri i lejuar është 50 km/h. Ai është gjobitur me 200 euro, 2 pikë negative dhe i është shqiptuar masa mbrojtëse ndalim drejtimi për 3 muaj.

Në fshatin Muhovc, është ndaluar A.M. (24 vjeç), i cili ngiste automjetin VW T-Roc pavarësisht se kishte masë mbrojtëse aktive për ndalim drejtimi. Ai është gjobitur me 500 euro, 5 pikë negative, ndalim drejtimi për 6 muaj dhe automjeti i tij është sekuestruar.

Në fshatin Sojevë, policia ka ndaluar në flagrancë H.R. (31 vjeç), i cili gjatë ngasjes po përdorte telefonin celular. Pas verifikimeve u konstatua se ishte hera e dytë që ai kryente të njëjtën kundërvajtje. Për këtë arsye, atij iu shqiptua gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 3 muaj.

Në fshatin Mirosalë, është ndaluar shoferi T.Z. (31 vjeç), i cili kishte bërë tejkalim në vijë të plotë. Edhe ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 3 muaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë apel drejtuar shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, shenjat dhe rregullat e komunikacionit rrugor, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.

Gjithashtu, qytetarët janë inkurajuar që të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes numrit 192 ose përmes aplikacionit “Komuniteti Policor”