Salih Kelmendi lirohet nga akuza në rastin “Subvencionet 1”
Foto: Laura Hasani

Salih Kelmendi lirohet nga akuza në rastin “Subvencionet 1”

Kronika October 30, 2025 - 15:20

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”, Salih Kelmendi.

Aktgjykimi ndaj Kelmendit u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Krasniqi tha se i akuzuari Kelmendi lirohet nga akuza për “Ushtrim ndikimi” dhe “Falsifikim të dokumenteve”, pasi nuk është provuar se ka kryer veprat penale që i viheshin në barrë.

Shpenzimet e procedurës penale bien në llogari të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 30 ditëve.

Në seancën e 22 tetorit 2025, prokurori Rafet Halimi bëri rikualifikimin e veprës penale nga “Marrje ryshfeti” në “Ushtrim ndikimi”. Ndërkaq, ngarkohej edhe për “Falsifikim të dokumenteve”.

Në shkurt 2022 PSRK-ja kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Më 9 janar 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim ndaj 12 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj. 11 prej tyre, Gjykata i dënoi me burgim efektiv prej 31 vitesh, 171 mijë euro gjobë dhe 6 vite burgim me kusht (së bashku). Kurse, një i akuzuar u lirua nga të gjitha akuzat.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione” e të tjera.