Sherri nisi për një pjatë proshutë, detaje nga vrasja në Tiranë

Sherri nisi për një pjatë proshutë, detaje nga vrasja në Tiranë

Kronika October 29, 2025 - 12:44

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse në Tiranë, ku 41-vjeçari Filip Shehu vrau me thikë kolegun e tij, Indrit Ismaillarin, 34 vjeç, gjatë orarit të punës në një lokal në zonën e Komunës së Parisit.

Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, Shehu ka pretenduar se konflikti ishte i çastit dhe lidhej me punën, por ka pranuar se me viktimën kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme

Megjithatë, dëshmia e tij bie ndesh me rrëfimet e stafit të lokalit, të cilët kanë pohuar se Ismaillari ishte “njeri i qetë, pa konflikte dhe shumë korrekt në punë”.

Hetimet kanë zbuluar se sherri fatal nisi për një pjatë proshutë. Sipas dëshmisë, autori kishte marrë një pjatë që nuk i takonte, dhe viktima i kishte kërkuar të mos e prekte. Pas një debati të shkurtër verbal, Shehu mori thikën dhe e goditi në qafë, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën menjëherë.

Pas krimit, autori qëndroi i qetë në vendngjarje, në pritje të policisë. Ai pritet t’i nënshtrohet një ekspertize psikiatrike, pasi ka pasur probleme sociale dhe jetonte i vetëm prej muajsh.

34-vjeçari Indrit Ismaillari punonte prej pesë vitesh në këtë lokal, ndërsa autori ishte punësuar vetëm prej disa muajsh, raporton JOQ.