Grabitja e armatosur në Duhël, policia: Të dyshuarit ikën me Golf
Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të fshati Duhël, ku cak ishte një automjet (kombi) që i takonte një poste private.
Lidhur me rastin detaje për Klankosova.tv. ka dhënë policia.
Zëdhënësi Shaqir Bytyqi, tha se të dyshuarit sipas deklarimit të viktimës kanë arritur të marrin edhe para.
“Të dyshuarit, nën kërcënim dhe me forcë, i kanë marrë disa zarfa të mbyllur që dyshohet se përmbanin para. Viktima nuk ka lëndime dhe fillimisht nuk ka e ditur shumën e saktë të parave të grabitura, pasi zarfat kanë qenë të mbyllura. Më vonë, pas verifikimeve janë raportuar rreth 10 mijë euro të grabitura”, deklaroi ai për klankosova.
Ai theksoi se policia ka reaguar menjëherë dhe po merret intensivisht me rastin.
“Deri më tani dyshohet se ishin disa persona dhe ishin të armatosur, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të tipit Golf”, deklaroi Bytyqi.