Grabitja me armë në autostradë, dyshohet se shoferit të postës ia kapën rreth 10 mijë euro
Kronika
October 24, 2025 - 11:12
Një plaçkitje e armatosur raportohet se ka ndodhur gjatë ditës së sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të fshatit Duhël.
Sipas informacioneve të Gazetës Nacionale, cak i grabitjes ka qenë një automjet transportues që kryen shërbime postare, derisa bazuar në burime të gazetës, dyshohet se shoferit i janë grabitur rreth 10 mijë euro.
Burime të Gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se grabitësit fillimisht kanë qëlluar me armë zjarri pjesën e pasme të automjetit dhe pasi kanë arritur ta ndalojnë, nga shoferi kanë kërkuar të hollat nën kërcënimin e armës.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe tashmë janë duke kryer hetimet rreth rastit.