
Përdorte identitete të rreme për mashtrime financiare, shpallet në kërkim Edon Bytyqi
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Edon Bytyqin, një person i dyshuar për kryerjen e dy rasteve të mashtrimit në rajonin e Mitrovicës.
Sipas njoftimit, hetimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë zbuluar se Bytyqi ka përdorur identitete të rreme dhe emra të personave publikë për të mashtruar qytetarët dhe i ka detyruar ata të dërgojnë para përmes institucioneve të transfereve financiare.
I dyshuari është lidhur me dy raste të mashtrimit në Mitrovicë, por dyshohet se ka kryer edhe 14 vepra të tjera penale të ngjashme në të gjithë Kosovën.
“Identifikimi i personit të dyshuar është bërë në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Policisë së Kosovës (ILECU), përmes të cilës Drejtori është kërkuar asistimi i autoriteteve kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kallëzim penal në mungesë, dhe ndaj të dyshuarit është lëshuar urdhër-arresti.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe ka apeluar për kujdes nga mashtrues të ngjashëm.
Ndërkohë, ata që mund të kenë informacione rreth vendndodhjes së tij janë të ftuar të kontaktojnë Policinë e Kosovës.
“Për çdo informacion, mund të kontaktoni:
• Numri i telefonit: 192
• Numri i telefonit: +383 28-532 363
• Email: [email protected]
• Aplikacioni: Lajmëro Policinë”, thuhet në njoftim.