Lirohet në procedurë të rregullt zyrtari i arrestuar për dallavere me procedura të tenderëve
Foto: Laura Hasani

Lirohet në procedurë të rregullt zyrtari i arrestuar për dallavere me procedura të tenderëve

Kronika October 23, 2025 - 16:28

Gjykata Themelore në Prishtinë pas mbajtjes së seancës dëgjimore e ka liruar në procedurë të rregullt zyrtarin e arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Ahmet Tahiri.

Policisë njoftoi të martën se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka zhvilluar një hetim lidhur me dyshimet për “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” në procedurat e tenderëve publikë.

“Gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe informata që mundësojnë dyshimin se një zyrtar publik ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme”, thuhej në njoftim.

Në njoftim u tha se vlera totale e tenderëve në fjalë tejkalon 8.8 milionë euro.

“Veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke përfshirë sigurimin e dëshmive dhe masa të tjera hetimore, përfshirë sekuestrimin e pajisjeve komunikuese”, njoftoi Policia.

I dyshuari ishte dërguar në mbajtje pas intervistimit, ndërkaq dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.