
Dogana gjen 50 mijë euro të padeklaruara në bagazhin e një automjeti në Vërmicë
Zyrtarët doganorë në pikën kufitare në Vërmicë kanë zbuluar 50 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
Të gjitha paratë ishin në monedha metalike të fshehura në pjesën e bagazhit të automjetit.
“Gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50,000 euro në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit”, thuhet në njoftimin e Doganës, raporton Zeri.info.
Dogana po ashtu njofton se 25% e shumës së padeklaruar është konfiskuar.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë. Dogana e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare të respektojnë obligimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10.000 euro, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës. /Zëri