
Policia ndëshkon pesë shoferë për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit në rajonin e Ferizajt
Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj dhe stacioni policor në Shtime, gjatë kontrolleve në rrugët lokale dhe magjistrale, kanë ndëshkuar pesë shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik.
“Më 17.10.2025, në rrugën ‘Rexhep Bislimi’, një shofer (21 vjeç) u kap duke lëvizur me 117 km/h në zonën me kufizim 40 km/h dhe pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalje, me datën 22.10.2025 u ndëshkua me 800 € gjobë.
Po ashtu bëhet e ditur se më 23.10.2025, në rrugën “Brahim Ademi”, një shofer (22 vjeç) u kap me 143 km/h në zonën me kufizim 50 km/h; ndaj tij u shqiptua 400 € gjobë, 4 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 9 muaj.
Përmes njoftimit të PK-së po ashtu bëhet e ditur se të njëjtën ditë, në fshatin Babush, një shofer (40 vjeç) u ndal pasi po lëvizte me shpejtësi 161 km/h dhe rezultoi me 0.85 promila alkool.
“Ai ndëshkua me 500 € gjobë, 5 pikë negative dhe ndalim patente për 6 muaj”, thuhet në njoftim.
Kurse në Shtime, Policia bën të ditur se në rrugën “Adem Jashari”, më 21.10.2025, një shofer (23 vjeç ) u kap me shpejtësi 126 km/h në zonën me kufizim 50 km/h dhe u ndëshkua me 300 € gjobë, 3 pikë negative dhe heqje patente për 3 muaj.
Ndërsa më 23.10.2025, në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, një shofere ( 23 vjeçe) me masë mbrojtëse aktive u ndëshkua me 500 € gjobë, 5 pikë negative, vazhdim të masës edhe për 6 muaj dhe iu sekuestrua automjeti.
Policia Rajonale në Ferizaj më këtë rast apelon te të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, pasi shpejtësia e lartë dhe pakujdesia gjatë ngasjes paraqesin rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve. /Zëri