
E vranë dhe e groposën babanë në Durrës, tre vjet burg për gruan dhe burg të përjetshëm për djalin e fëmijët e tjerë
Gjykata e Durrësit ka dhënë sot vendimin për anëtarët e familjes Meta, dy djemtë, vajzën dhe gruan, të cilët në bashkëpunim vranë dhe groposën babanë e tyre, Pëllumb Meta, ngjarje e ndodhur në Shënavlashit në Durrës dhe që u zbulua më 10 shkurt 2024.
Me burgim të përjetshëm u dënua djali Hysen Meta, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta e më pas i groposi trupin.
E motra e tij, Hygerta Meta është dënuar me tetë vjet burg, nga 30 vjet që kishte kërkuar prokuroria, ndërsa i vëllai, Amarildo Meta është dënuar me pesë vjet burg.
E ëma e tre fëmijëve, ose bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, është dënuar me tre vjet burg.
Si ndodhi krimi?
Sipas organit të akuzës më 10 shkurt 2024, viktima Pëllumb Meta mësohet se ka lënë punën dhe është kthyer në banesë në orët e para të mëngjesit. Ndërsa rreth mesditës, teksa i ndjeri ka qenë në kuzhinën e banesës, djali i tij Hysen Meta, në prani edhe të të pandehurës Hygerta, ka marrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë.
Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dy të pandehurit më pas kanë kryer veprime jo vetëm për të zhdukur gjurmët e vrasjes nëpërmjet stukimit të vrimës në mur, spostimit të divanit në të cilin ka qenë i shtrirë viktima, kanë vazhduar me mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit, informon Prokuroria.
Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët që janë fshehur nga Hysen Meta.
Ai ka bërë kallëzim në polici duke paraqitur zhdukjen e babait si largim nga banesa me vullnetin e tij.
Gjatë gjykimit Hygerta Meta është e vetmja nga të pandehurit që ka dhënë pëlqimin për t’u pyetur ku ka deklaruar se babanë e ka vrarë vëllai i saj Hysen Meta në prani të saj.
Ndërkohë në momentin e kryerjes së vrasjes, djali i vogël i familjes, Amarildo Meta, ka qenë në punë.