
Arrestohet një djalë në Shtime, dyshohet se ia kishte vjedhur 24 mijë euro babait të tij
Policia në Shtime ka pranuar një informatë lidhur me një rast të vjedhjes së rëndë, që dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “14 Dhjetori” në Shtime.
Policia në Shtime ka arrestuar një person për vjedhje të rëndë, e cila dyshohet se ka ndodhur në një banesë në rrugën “14 Dhjetori”.
Vjedhja dyshohet se kishte ndodhur gjatë periudhës kohore nga data 22.08 deri më 18.10.2025, ndërsa Policia ka bërë të ditur se i arrestuar është djali 34-vjeçar i ankuesit.
Sipas ankuesit, mashkull kosovar-shqiptar, i cili jeton dhe punon jashtë vendit, në banesën e tij kishte lënë shumën prej 24.800 euro, ndërsa më datën 19.10.2025 ka vërejtur mungesën e parave.
“Pas pranimit të informatës, Njësiti i Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me krim-teknikët, është angazhuar menjëherë në hetime. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit”.
“Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes nuk janë konstatuar shenja të thyerjes ose dëmtime që do të tregonin hyrje me forcë në banesë”.
“Si rezultat i hetimeve intensive, më datën 21.10.2025 policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B.N. (34 vjeçar) – djalin e ankuesit, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Zëri