
Djaloshi 10-vjeçar nga Ferizaj dorëzon në polici portofolin e gjetur me mbi 1,100 euro
Një gjest i rrallë ndershmërie ka ndodhur në Ferizaj, ku një 10-vjeçar ka dorëzuar në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente personale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 20 tetor 2025, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Dashi së bashku me djalin e tij E. D., 10 vjeç, të cilët kishin gjetur portofolin në rrugën “Enver Topalli”.
Në portofol janë gjetur 1,130 euro, 20 franga zvicerane dhe 130 denarë maqedonas, përveç dokumenteve personale.
Pas verifikimit, policia ka arritur të identifikojë pronarin, B. B. nga Kaçaniku, i cili është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se të gjitha sendet ishin të paprekura. Portofoli i është kthyer atij me procesverbal zyrtar.
Pronari ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të sinqertë ndaj djaloshit dhe familjes së tij për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin dhe bashkëpunimin korrekt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar E. D.-në për këtë veprim human dhe edukativ, duke e cilësuar si shembull frymëzues për fëmijët dhe qytetarët mbi ndershmërinë, edukatën dhe përgjegjësinë shoqërore.