
I theri me thikë gruan dhe të bijën, një muaj paraburgim ndaj prizrenasit
Një muaj paraburgim është vendosur ndaj burrit që ka therur me thikë gruan dhe të bijën e tij të mitur në rrugën “Rexhep Kabashi” në qytetin e Prizrenit, të premten.
Për Klankosova.tv, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, ka thënë se vendimi për 30 ditë paraburgim u mor sot nga trupi gjykues në seancën dëgjimore ndaj të dyshuarit në fjalë.
“Ndaj të njëjtit rëndojnë dy vepra penale ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’”, ka thënë Lekaj.
Seanca për rastin në fjalë është mbajtur të shtunën në ora 11:00.
Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte bërë të ditur se Policia e Kosovës e kishte marrë informatën rreth orës 00:20 të së premtes, dhe kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku hasën në bashkëshorten e të dyshuarit e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë, thikë.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, ka thënë Prokuroria.
Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme.
Klankosova.tv ka kontaktuar sot shefin e Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishtin, i cili ka thwnw se dy viktimat, nëna dhe bija, janë në gjendje stabile shëndetësore.
Ai njoftoi se gjendja e dy pacienteve është stabile, anipse të dyja gjenden në përkujdesje intensive.
Një dëshmitar i cili ka një punëtori pranë vendngjarjes, ka thënë se ka dëgjuar zhurmat dhe piskamat e viktimave dhe është nxituar jashtë, kur ka ndodhur ky rast.
Ai ka parë gruan e gjakosur duke bërtitur për ndihmë, tha Afrim Hasan.
“I kam dëgju piskamat dhe zhurmat, kam dal jashtë punëtorisë dhe i pashë banorët në dritare, nëpër ballkone. Në ato momente e pashë gruan e gjakosur duke bërtitur ndihmë. Më pas, jemi ngjitur brenda dhe ka ardhur policia, i kemi thirrë, e ka pas fëmijën një kat më lartë, ajo kishë qenë e therur në korridor, duke bërtituar, herë nëna, herë kjo çika”, ka rrëfyer dëshmitari. /klankosova