“Kemi larë gjakun deri në katin e katërt”, dëshmitari tregon tmerrin pas sulmit në Prizren ndaj familjes

“Kemi larë gjakun deri në katin e katërt”, dëshmitari tregon tmerrin pas sulmit në Prizren ndaj familjes

Kronika October 17, 2025 - 13:24

Një dëshmitar ka treguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Prizren, ku një burë theri me thikë bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur. Dëshmitari thotë ta kenë larë gjakun deri në katin e katërt, ku kishte ikur vajza.

“Pas e kreu punën vetë Forenzika, e kam thirr pronarin e banesës. Ka ardhur pronari dhe së bashku me të, kemi filluar prej shkallëve, kemi dalë e kemi larë gjakun deri në aktin e tretë, deri në të katërtin, se edhe një kat më lart ka shkuar fëmija, ka ik”, ka treguar dëshmitari për tv Dukagjinin.

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka treguar se gruaja 49 vjeçare ishte gjetur në rrugë me lëndime dhe gjakderdhje që ishin shkaktuar nga thika, ndërsa vajza 12-vjeçare ishte gjetur në katin e fundit të ndërtesës, e cila po ashtu ishte me lëndime dhe gjakderdhje.

“Më datën 17.10.2025, rreth orës 00:20 min., pas mesnatës në rrugën ‘Rexhep Kabashi’ në Prizren, Policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore i është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit), e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë. Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda”, njoftoi paraditen e së premtes Prokuroria Themelore në Prizren.

Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.