Spitali i Prizrenit tregon për gjendjen shëndetësore të gruas dhe vajzës së saj, që u therën me thikë
Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur rreth orës 00:20 të mëngjesit të së premtes në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur. Të dyja viktimat ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lajmin e ka konfirmuar shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti.
“Të dyja po trajtohen në Klinikën Intensive të Spitalit Rajonal të Prizrenit”, deklaroi Veçgishti përTëvë1, duke bërë të ditur se gjendja e tyre është e rëndë.
Sipas njoftimeve zyrtare, Policia e Kosovës është njoftuar për një rast të dhunës në familje dhe ka reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Aty ka hasur viktimën e parë, gruan 49-vjeçare, në rrugë me lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje. Në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe vajza e mitur, gjithashtu e therur me thikë.
“I dyshuari është arrestuar në hyrje të banesës dhe është shoqëruar në stacionin policor”, thuhet në njoftimet e Policisë.