Një burrë në Prizren ther me thikë gruan dhe vajzën e tij, ato gjenden në rrugë të gjakosura dhe në gjendje të rëndë
Foto:Ilustrim

Një burrë në Prizren ther me thikë gruan dhe vajzën e tij, ato gjenden në rrugë të gjakosura dhe në gjendje të rëndë

Kronika October 17, 2025 - 11:18

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Prizren.

Një burrë atje ka therur me thikë gruan dhe vajzën e tij, të cilat janë gjetur jashtë shtëpisë së tyre të gjakosura dhe sipas Prokurorisë, janë në gjendje të rëndë shëndetësore, transmeton Zeri.info.

Prokuroria në Prizren ka njoftuar se më 17.10.2025, rreth orës 00:20 pas mesnatës, në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, Policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore i është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë - thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.

Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.

“Policia dhe Njësia e Teknikës Kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda. Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme”.

“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje thuhet se brenda afatit ligjor, për të njëjtin Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /Zëri