13 vjet burg për ferizajasin që keqpërdori seksualisht dy të mitura

13 vjet burg për ferizajasin që keqpërdori seksualisht dy të mitura

Kronika October 17, 2025 - 10:55

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.S., për shkak të veprave penale “Sulmi seksual”, “Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16)”.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi – kryetar i trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin K.S. e shpalli fajtor për shkak të dy veprave penale dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej trembëdhjetë vjetësh, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I pandehuri K.S. akuzohet se në periudha të ndryshme kohore, gjatë viteve 2012–2013 dhe 2018–2022, ka ushtruar veprime të ndaluara seksuale ndaj dy të miturave të moshës 12 dhe 14-vjeçare, nga i njëjti lokalitet, duke shfrytëzuar rrethana të ndryshme dhe moshën e tyre të mitur.

“Konform Nenit 366, paragrafit 1, pikës 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim”.

“Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt”, ka njoftuar Gjykata. /Zëri