
Për 24 orë policia në Ferizaj gjobiti 30 shoferë për përdorim të telefonit
Policia Rajonale e Ferizajt gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 30 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin celular gjatë ngasjes së automjetit.
Ky aksion është ndërmarrë pas fushatës disaditore me moton: “Një sekondë në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon e jo në telefon”.
Policia apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të përqendrohen në ngasjen e automjetit dhe të shmangin përdorimin e telefonit, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja për jetën e njerëzve.
Policia thotë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
“Qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit ‘Lajmëro Policinë’ ose në numrat 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. Të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri