
Aktakuzë ndaj tre personave për fajde e detyrim, dëmi ndaj viktimës pretendohet të jetë mbi 100 mijë euro
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve P.T. dhe A.G. për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa ndaj M.A. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas PSRK-së, P.T. dhe A.G. ngarkohen se gjatë viteve 2022-2023 e detyruan viktimën B.P. të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
“I pandehuri P.T. dhe A.G. akuzohen se gjatë viteve 2022-2023, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë detyruar viktimën B.P. që të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij. Sipas aktakuzës, P.T. e kishte autorizuar viktimën për shitjen e një lokali në pronësi të tij, duke e mashtruar se i ishte bllokuar llogaria bankare. Viktima kishte lidhur kontratë për shitjen e lokalit me A.G., në vlerë prej 150 mijë eurosh. A.G., me arsyetimin se nuk është realizuar kontrata, përmes kanosjes e ka detyruar të paguajë shuma të mëdha parash”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, M.A., akuzohet se e kishte detyruar B.P., të paguajë tri herë më shumë sesa shumën e borxhit, të cilin viktima ishte detyruar ta merrte për shkak të gjendjes së rënduar financiare.
“Viktima është dëmtuar në shumën mbi 100.000 mijë euro”, njofton PSRK-ja.