
Dy kosovarë ndalohen në Morinë, u sekuestrohen mbi 27 mijë euro
Policia Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë ka goditur dy raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi, gjatë kontrolleve në hyrje të territorit shqiptar.
Në njoftim thuhet se dy shtetas të Kosovës tentuan të hyjnë në Shqipëri pa deklaruar të hyrat, transmeton Telegrafi.
"Vihen në hetim 2 shtetas kosovarë që tentuan të futnin në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar, 27 550 euro. Sekuestrohet shuma e eurove. Në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat lëvizin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e pa ligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë konstatuan 2 raste të tentativës për të futur në Republikën e Shqipërisë, shuma parash, pa i deklaruar konform ligjit", thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje bëhet e ditur se për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit kosovarë: -A. G., 51 vjeç, banues në Suedi, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 12 550 euro;-A. G., 44 vjeç, banues në Suharekë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 15 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.