
Deklarohet e pafajshme noterja e akuzuar se dëmtoi palët kontraktuese 20 mijë euro duke ngritur çmimin shitblerjes së pronës
Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, noterja Valdete Ademi u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ademi akuzohet se keqpërdori detyrën gjatë përpilimit të aktit noterial “Kontratën për shitblerjen e tokës-parcelës me shtëpi në proces të legalizimit”, duke ngritur çmimin e shitblerjes së paluajtshmërisë nga 140 në 160 mijë euro, dhe dëmtoi palët kontraktuese në vlerë 20 mijë euro.
“Jo, nuk ndihem fajtore”, tha Ademi.
Deklarimin rreth fajësisë, e akuzuara Ademi e ka bërë pasi që prokurori Zef Prendrecaj e lexoi aktakuzën.
Meqenëse e akuzuara nuk e ka pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, njoftoi atë dhe mbrojtësin e saj, avokatin Sheremet Fejza, se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e akuzuara Valdete Ademi ngarkohet se më 20 tetor 2022, në Prishtinë në cilësinë e noteres, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e saj zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, ka tejkaluar autorizimet e saj. Akuzohet se si notere kishte përpiluar Aktin Noterial- “Kontratën për shitblerjen e tokës-parcelës me shtëpi në proces të legalizimit”, në Zonën Kadastrale Prishtinë, duke e ngritur çmimin e shitblerjes së kësaj paluajtshmërie nga 140 mijë euro në 160 mijë euro, në kundërshtim me çmimin që ishin pajtuar palët kontraktuese B., dhe L.M. si blerës në niërën anë dhe N.P., si shitëse në anën tietër.
Aktakuza thotë se me këtë rast, të dëmtuarve B.M., dhe L.M., u ka shkaktuar dëm material në vlerë prei 20 euro, si rezultat i rritjes së çmimit në kontratën noteriale, të cilin çmim pala e dëmtuar nuk ka arritur ta përmbushë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara Ademi duke e parë që palët kontaktuese B., dhe L.M., nuk po mundin t’i përmbushin obligimet kontaktuake, ka vepruar në kundërshtim me Aktin Noterial, neni I, pika 3 (çmimi i shitjes) dhe nenit II, pika 3 (Dorëzimi), të cilin e kishte përpiluar vetë, në atë mënyrë që më 16 shkurt 2023, me qëllim të përmbushjes së obligimit financiar, përpilon një akt tjetër noterial -“Kontratë mbi huazimin e mjeteve” në shumë prej 22 mijë euro, me huadhënës Xh. Z.,-A. dhe L.S.H-M., si huamarrës, mjete këto financiare të cilat i kishte dhenë vetë e akuzuara nga llogaria e saj përmes huadhënësit Xh.Z.,-A.
Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për përfshirjen e noteres Ademi edhe në rastin e pronës milionëshe në Veternik, ku sipas informatave nga Prokuroria, e njëjta është duke u hetuar edhe për atë rast. /BetimipërDrejtësi