Sekuestrohet mbi 40 kg drogë në Mirditë, arrestohen dy vëllezërit dhe miku i tyre

Sekuestrohet mbi 40 kg drogë në Mirditë, arrestohen dy vëllezërit dhe miku i tyre

Kronika October 15, 2025 - 10:15

Është finalizuar pjesa e dytë e operacionit policor i koduar “Processing” në zonën e Mirditës, ku janë sekuestruar 40 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa në pranga kanë rënë tre të rinj.

Policia bën me dije se si rezultat i operacionit janë arrestuar Akil Reçi 33 vjeç dhe vëllezërit Martin Zefi dhe Erjon Zefi, 34 dhe 38 vjeç.

Droga është gjetur afër një banese të vjetër në fshatin Shëngjergj, Mirditë, ku janë sekuestruar rreth 40 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare që dyshohet se përdoreshin nga autorët për veprimtarinë kriminale.

Nga hetimet, ka rezultuar se tre të arrestuarit në bashkëpunim me shtetasit P. M. dhe K. P., të arrestuar 1 javë më parë, në kuadër të fazës së parë të këtij operacionit, kanë kultivuar lëndë narkotike me qëllim shitjen., në fazën e parë të operacionit policor, u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf, Mirditë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.