IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë
Foto: Laura Hasani

IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë

Kronika October 10, 2025 - 14:31

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Klinë, pas fillimit të hetimeve lidhur me një incident, ku dyshohet se ata janë përfshirë.

Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime fillestare hetimore që lidhen me ngjarjen e ndodhur më 19 shtator 2025 në Klinë. Pas këtyre veprimeve, është rekomanduar që tre zyrtarët e përfshirë të pezullohen nga detyra, për shkak të dyshimeve se nuk kanë raportuar veprimet dhe rrethanat që përbëjnë elemente të veprës penale “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”, e parashikuar me Nenin 386 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme”, njofton IPK-ja.

Sipas IPK-së, masa e suspendimit të përkohshëm është ndërmarrë për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e procesit hetimor, si dhe për të shmangur çdo ndikim të mundshëm gjatë zhvillimit të hetimeve. /Zëri