
Daçiqi thotë se kanë arrestuar një shqiptar nga Kosova, u kap me flamuj kombëtarë e të UÇK-së
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar se pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prokuplje, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganave, kanë arrestuar D. P. (52) nga Shqipëria, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare.
“Policia, gjatë kontrollit të një furgoni të markës ‘Mercedes’ në pikën administrative Merdar, me të cilin po udhëtonte i dyshuari nga drejtimi i Kosovës, ka gjetur pesë çanta, në të cilat ndodheshin 22 bluza, 244 flamuj dhe 86 kapele me mbishkrimin “UÇK”, 65 dukse me portretin e Agim Ramadanit, 58 shalla me stemën e Shqipërisë, si dhe 92 kapele tradicionale “qeleshe”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas tyre, dyshohet se këto materiale dhe veshje ishin planifikuar të përdoren dhe të ekspozohen gjatë ndeshjes së ardhshme të futbollit në Leskovc, ndërmjet të Serbisë dhe Shqipërisë. /Zëri