I akuzuari në rastin e 400 kg kokainë: S’di për ku ishte i destinuar narkotiku që u gjet në pakot e mishit
Foto: Laura Hasani

I akuzuari në rastin e 400 kg kokainë: S’di për ku ishte i destinuar narkotiku që u gjet në pakot e mishit

Kronika October 09, 2025 - 14:20

Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, edhe të enjten vazhdoi me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Faton Vrajolli, i cili tha se narkotiku që u gjet në pakot e mishit të porositur nuk e di se ku ishin destinuar.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vrajolli, i cili e nisi dëshminë të mërkurën, tha para Gjykatës Themelore në Prishtinë se nuk është përgjegjësi e tij të dijë se për cilat pika të shitjes ka qenë i destinuar mishi në fjalë. Tha se për produktet e atij mishi ka pasur mungesë për një kohë të gjatë dhe se ka pasur shumë pika të shitjes që kanë pasur interes për të.

I akuzuari tha se pesha e pakove të porositura të mishit ishte prej 10 kilogramësh dhe se deposti e ka si përgjegjësi ta shohë si peshë.

Po ashtu, Vrajolli duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Milot Krasniqi, tha se nëse vërehen dëmtime të mallit të ardhur nga jashtë, mbahet procesverbal dhe saktësohen dëmtimet e mallit.

Lidhur me dëmtimet e qeses së najlonit te njëra nga pakot e mishit të ardhur, Vrajolli tha se nuk ka qenë i njoftuar nga personat përgjegjës, duke shtuar se për këtë edhe nuk kanë pasur kohë.

Më tej, i akuzuari sqaroi se ka kontakte me menaxherë të kompanive nga jashtë për porosi të mallit. Tha se për çdo ditë thuajse është takuar me të akuzuarin Izet Sheqiri.

Për të akuzuarin Kadri Sheqiri, tha se nuk ka pasur takime dhe se për të dëshmuar këtë si rrethanë personalisht ka kërkuar të nxirret hartografia e telefonit, që sipas tij dëshmon se nuk është takuar me të, siç ka pretenduar Sheqiri.

Sipas tij, nuk e di arsyen se pse ka deklaruar Sheqiri një rrethanë të tillë të pavërtetë dhe se çështjet profesionale me ato shoqërore i ndan mjaft mirë.

Vrajolli pohoi deklaratën e dhënë në Prokurori se shtëpia dhe trualli i blerë në një lagje në Prishtinë, i ka kushtuar afërsisht 130 mijë euro dhe se këtë blerje thotë se e ka bërë përmes kredisë dhe kursimeve.

Gjithashtu edhe makinat e përmendura nga prokurori Krasniqi, Vrajolli tha se janë përfituar nga kursimet për një kohë të gjatë. Shtoi se brenda kompanisë ka marrë edhe bounse dhe se sipas tij, të gjitha këto si transaksione i ka realizuar përmes llogarisë bankare.

Vrajolli foli edhe udhëtimet jashtë shtetit dhe atë në Suedi te familjarët e tij dhe një udhëtim tjetër nëpër Evropë me gruan e tij, përderisa e njëjta sipas tij kishte vizë, por ishte në prag të skadimit dhe se udhëtimi ishte bërë për të shfrytëzuar afatin e fundit të vizës.

Sipas të akuzuarit, ardhja e kamionëve nga Porti i Durrësit ka pasur prej 10 deri 15 kamionë, dhe se maksimumi i qëndrimit në port është 10 ditë dhe nëse qëndron ndonjë ditë më shumë duhet paguar ekstra.

Gjithashtu, Vrajolli tha se në të kaluarën ka pasur raste kur ka munguar një sasi e mallit apo kur malli ka arritur i dëmtuar dhe se për këtë rrethanë gjithmonë është njoftuar furnitori, duke kërkuar nga të njëjtit kompensimin e shumës.

Vrajolli sqaroi se kompania MC FOOD ka seli edhe në Shqipëri dhe se Izet Sheqiri është bashkëpronar me një person që e ka emrin Bledar.

Lidhur me këtë emër, prokurori kërkoi të konfirmojë nëse është personi Bledar Habilaj, e që e konfirmoii akuzuari Vrajolli.

Por, për këtë pati vërejtje mbrojtësi i Izet Sheqirit, avokati Florent Latifaj, duke kërkuar që të mos manipulohet pasi që mbiemri i tij është Habili. Për këtë, avokati Latifaj tha se do sjellë edhe dëshmisë, ndërkaq prokurori Krasniqi sqaroi se pyetjet janë të bazuara në procesverbalin e marrjes së të akuzuarit Vrajolli në pyetje në Prokurori.

Më pas, seanca u ndërpre për të vijuar në sesionin e pasdites me mbrojtjen e të akuzuarit Vrajolli nëse ka pyetje trupi gjykues në drejtim të tij, e më pas nis mbrojtja e të akuzuarit Izet Sheqiri.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.