
12 vjet burgim për Fadil Islamin, i akuzuar për tentim vrasjet në Ferizaj
Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 12 vjet burg Fadil Islamin, i cili kishte therur me thikë katër persona, dy prej të cilave ishin vajza të mitura.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i njëjti për shkak të përkatësisë etnike ka tentuar të privojë nga jeta fëmijët e moshës 10 dhe 14 vjeç.
“Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, kryetare e trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar dhe pranimit të fajësisë, të pandehurin F.I. e shpalli fajtor për veprën penale në vazhdim ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10, lidhur me Nenin 28 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), të njëjtit i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vjetësh, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.
“I pandehuri F.I. akuzohet se më datë 11 nëntor 2024, rreth orës 15:29 minuta, në rrugën ‘R.B.’ në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar t’i privojë nga jeta fëmijët e moshës 10 vjeç dhe 14-vjeç, pjesëtarë të komunitetit ashkali”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se më datë 11 nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën ‘E.T.’ në Ferizaj, me dashje për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., i moshës 32-vjeç, pjesëtar i komunitetit egjiptian”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 nëntor 2024, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën ‘H.S.’ në Ferizaj, me dashje, për shkak të përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin E.A., i moshës 29 vjeç, pjesëtar i komunitetit rom”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.