
Sekuestrohen 10 tonë drogë, shkatërrohet rrjeti më i madh i trafikimit të narkotikëve në Spanjë
Policia spanjolle deklaroi se kishte shkatërruar një nga rrjetet më të rëndësishme të trafikimit të kokainës në botë, duke sekuestruar 10 tonë drogë dhe duke arrestuar pesë të dyshuar në një operacion të përbashkët.
Policia deklaroi se tre arrestime u kryen në Spanjë dhe dy në Kolumbi gjatë shtatë kontrolleve, pa specifikuar vendet ose ku u gjet droga.
Rrjeti kontrabandonte rreth 120 tonë kokainë çdo vit nga Kolumbia në Evropë nëpërmjet porteve në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë.
Trafikantët kishin lidhje me ”Clan del Golfo” të Kolumbisë, një nga grupet më të mëdha kriminale të përfshira në tregtinë globale të kokainës.
Policia i përshkroi të dyshuarit si persona që vepronin nëpërmjet kompanive fiktive dhe skemave të tjera komplekse të kontrabandës.
Zbulimi i madh erdhi pasi hetuesit morën akses në mesazhet e koduara të dërguara nëpërmjet aplikacionit SkyECC./atsh