
Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara gjatë shtatorit
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara gjatë muajit shtator.
Dogana, përmes njoftimit në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë ndaluar një sasi e konsiderueshme e produkteve të dyshuara si pirate, duke përfshirë: 300 jelekë dimëror me logon Moncler, 300 palë atlete me logot Adidas, Reebok dheMiu Miu, 5 mijë e 180 palë çorape me markat Nike, Calvin Klein, Reebok dhe U.S. Polo Assn dhe 225 veshje tekstili me markën Stone Island.
Dogana po ashtu ka njoftuar se këto ndërhyrje janë rezultat i analizës së avancuar të riskut dhe vigjilencës së oficerëve doganorë, të cilët kanë parandaluar që produktet e falsifikuara të depërtojnë në tregun e Kosovës, duke mbrojtur konsumatorët dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. /Zëri