Dogana kap suplemente ushqimore të padeklaruara në vlerë mbi 5 mijë euro në Vërmicë

Dogana kap suplemente ushqimore të padeklaruara në vlerë mbi 5 mijë euro në Vërmicë

Kronika October 06, 2025 - 15:47

Zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në një automjet të ndaluar për kontroll të detajuar.

Gjatë kontrolli, siç thuhet në njoftimin në Facebook, edhe pse drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk kishte mallra për të raportuar, zyrtarët doganorë gjetën në ulëset e pasme dhe në bagazh rreth 600 pako me mbi 7 mijë e 500 copë suplemente ushqimore, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë faturë ose dokumentacion përcjellës.

Sipas Doganës së Kosovës, vlera e përgjithshme e mallrave të padeklaruara është 5 mijë e 554 euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore kap shumën prej 1 mijë e 655 euro.

“Ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të Nenit 253 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK), ndërsa mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se mosdeklarimi i mallrave përbën shkelje të legjislacionit doganor dhe ndaj rasteve të tilla ndërmerren masa ligjore në përputhje me dispozitat në fuqi”, thuhet në postimin e Doganës.