
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla arrijnë në sallën e gjyqit
Tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, janë sjellë para gjykatës, ku pritet të fillojë seanca ndaj tyre.

Në këtë seancë pritet të dëgjohet raporti i autopsisë nga mjeku ligjor, Naim Uka.
Ndryshe seanca e fundit u fokusua në dëgjimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte kryer ekzaminimin psikiatrik ndaj të akuzuarit Naim Murseli.
Eksperti kishte deklaruar në sallën e gjyqit se nga ekzaminimi i bërë nuk janë konstatuar çrregullime të shëndetit mendor te Naim Murseli, as në formë të përhershme e as të përkohshme.
Ai tha se analizat janë kryer përmes dokumenteve të lëndës, bisedave të drejtpërdrejta me të akuzuarin, si dhe përmes vëzhgimit të sjelljes së tij gjatë ekzaminimit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ishte inskenuar si grabitje dhe dyshohet se vrasja ishte e planifikuar, me Granit Plavën si ekzekutues dhe Naim Murselin si organizator. /EO