Trupi që u gjet në Lezhë është i një 65-vjeçari, dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri

Trupi që u gjet në Lezhë është i një 65-vjeçari, dyshohet të jetë vrarë me armë zjarri

Kronika October 03, 2025 - 20:23

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se personi që u gjet i vdekur sot në Lezhë është 65-vjeçari me inicialet Gj.T., banues në fshatin Pllanë.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se viktimën e kishte raportuar si të zhdukur vajza e tij rreth orës 14:40. Menjëherë, shërbimet e Policisë nisën kërkimet për gjetjen e tij.

“Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, u gjet pa shenja jete shtetasi Gj.T.”

“Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.