
Goditet grupi kriminal që trafikonte vajza nga Amerika Latine e Azia në Shqipëri
Pas tetë muajsh ka përfunduar operacioni policor ndërkombëtar “Rrjeti” me goditjen e një grupi kriminal që trafikonte vajza nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri.
Policia e Shqipërisë ka bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, dhe ka arrestuar shtatë prej nëntë pjesëtarëve të grupit kriminal.
“Ekzekutohen në Shqipëri, masa sigurie (7 prej tyre “Arrest në burg”), për 9 pjesëtarë të grupit kriminal. Arrestohet në Kolumbi, organizatori i grupit, shtetas kolumbian. Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit. Procedohen penalisht 48 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Policia po ashtu ka zbuluar një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, ku akomodoheshin dhe shfrytëzoheshin për prostitucion, disa nga shtetaset e huaja. Janë sekuestruar shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
“Nga hetimet dyshohet se: shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit; shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën ‘Reshit Collaku’, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion; shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel; shtetasi D. B. u jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion; shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B”, thuhet në njoftim.