
Dyshohet për keqtrajtim të fëmijës, ndalohet për 48 orë edukatorja në Pejë
Një edukatore në një institucion parashkollor në Pejë është ndaluar nga Policia e Kosovës për 48 orë, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin”, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
“Po, është ndaluar një edukatore me urdhër të prokurorit, pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije dhe pas intervistimit nga zyrtarët policorë, me urdhër të prokurorit të shtetit, e njëjta është ndaluar për 48 orë”, tha Nikçi.
Ai shtoi se ndalimi i saj ka ardhur pas hetimeve që kanë bërë pas një denoncimi për këtë incident.
“Pas denoncimit të një edukatoreje nën dyshimin se ka keqtrajtuar një fëmijë, Prokuroria ka filluar hetimet. Këto hetime kanë dërguar në drejtim të nxjerrjes së vendimit për hetim”, tha Nikçi.
Ai shtoi se tashmë Prokuroria është duke vazhduar me hapat e tjerë sipas Kodit të Procedurës Penale. /Zëri