Gjykimi për mashtrim nga QAD-i, dëshmitari: Hapa 65 vrima për mbjellje të arrave që s’u mbollën kurrë
Foto: Laura Hasani

Gjykimi për mashtrim nga QAD-i, dëshmitari: Hapa 65 vrima për mbjellje të arrave që s’u mbollën kurrë

Kronika October 01, 2025 - 11:52

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për mashtrim: Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën u dëgjua dëshmitari Arben Gashi, i cili tha se nga organizata QAD i ishte thënë t’i hapte vrimat për mbjelljen e arrave, por që pavarësisht se ato u përgatitën, nuk u mbollën kurrë ngase projekti nuk u realizua.

Në këtë rast, Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, po akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mashtrim. Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë për kinse ofrim të subvencioneve.

Gashi tha se kishte aplikuar për grant te organizata QAD për kultivim të arrës dhe me sa i kujtohet vlera e grantit ishte diku 14 mijë euro.

Dëshmitari deklaroi se nga granti i fituar, ka dhënë diku 2 mijë euro dhe se pjesa tjetër është paraprë të mbulohej nga QAD.

Paratë prej 2 mijë euro, Gashi tha se kishte siguruar përmes kredisë në bankë dhe se përveç asaj shume, ka paguar edhe kamatën që në kohën kur e ka marrë kredinë, sipas tij, ishte e lartë.

Në këtë seancë, u dëgjua edhe dëshmitari Muhamet Paçarizi, i cili deklaroi se e mbështetë deklaratën e dhënë në Polici në vititn 2017, Tha se për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë, nuk i kujtohen detajet.

Paçarizi tha se nga ajo që mund t’i kujtohet është se personalisht kishte dhënë diku prej 1 mijë e 800 euro dhe se prej tyre ia kishte marrë nipit të tij 800 euro.

Ai deklaroi se te QAD-i kishte aplikuar për grant të bletëve, duke shtuar se kishte shkuar në shtëpinë e dikujt nga kjo organizatatë, por se nuk e kishte gjetur askënd.

Më pas, seanca u ndërpre në mungesë të dëshmitarëve të tjerë të cilët ishin planifikuar të dëgjoheshin sot.

Kjo lëndë më parë ishte duke u gjykuar nga gjykatësi Sh.H, por meqë i njëjti ka ndërruar jetë, tani ky rast gjykohet nga gjyqtari Agim Kuçi kryetar dhe anëtarët: Medije Bytyqi dhe Gent Beka.

Në këtë rast, me parashtresë të datës 21 janar 2020, prokurori Arian Gashi kishte bërë precizimin e aktakuzës sa i përket të dëmtuarve, ku si të dëmtuar paraqiten edhe Feriz Bytyqi, Arsim Leci, Nazmir Piraj, Arsim Leci, Shkelzen Pantina, Shpëtim Lajqi, Shyqeri Skenderi dhe Xhavit Alshiqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2017, kishte ngritur aktakuzën ndaj Valmir Hajrullahut, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobrunës për veprat penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mashtrim”.

Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci” (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë kinse kishin ofruar subvencione, për të cilët të dëmtuarit kishin participuar me vlerën në mes 25 dhe 30% të kërkesës. Sipas aktakuzës, ata nuk e kishin përmbushur obligimin e participimit të tyre të premtuar, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumë të mëdha të parave, vlera e të cilave kishte arritur rreth 600 mijë euro. Aktakuzën e plotë për këtë rast mund ta lexoni duke klikuar KËTU. / BetimipërDrejtësi