Gjykata e Apelit në Tiranë dënon me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti

Gjykata e Apelit në Tiranë dënon me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti

Kronika September 30, 2025 - 16:33

Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë ka dënuar me 12 vite burg biznesmenin Francesco Becchetti, të cilit iu ulën 5 vite nga vendimi i Shkallës së Parë në aplikim të nenit 55 që parashikon bashkimin e dënimeve.

Treshja e Apelit që mori vendimin ishte e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani, të cilët ndryshuan pjesërisht vendimin për një pjesë të dënimit.

Gjykata e Apelit uli gjithashtu në 12 vite burg dënimin për Mauro De Renzis, i dënuar në Shkallë të Parë me 16 vite si bashkëpunëtor i Becchettit.

Ishin avokatët e Becchettit ata të cilët iu drejtuan Apelit, pas vendimit të Shkallës së Parë që e dënoi biznesmenin italian me 17 vite burg, nën akuzën se ai, përmes kompanive të tij, kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash.

Becchetti u akuzua për 4 vepra penale: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.