Si ndodhi vdekja e 40-vjeçarit që ra në një pus në Lubeniq?
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

Si ndodhi vdekja e 40-vjeçarit që ra në një pus në Lubeniq?

Kronika September 29, 2025 - 19:02

Shiriti i Policisë është ende në vend ngjarje.

Këtu vërehen lehtë edhe gjurmët e një tragjedie të ndodhur të dielën poashtu.

40-vjeçari, Albert Pamaj nga Skivjani i Gjakovës gjeti vdekjen këtu në fshatin Lubeniq të Pejës tek ky bunar.

Ai kishte ardhur për ta pastruar këtë pus, e që më pas dyshohet se ra në thellësi prej afër 20 metrash.

Menjëherë në vendngjarje dolën ekipet e Policisë së Kosovës.

Por as këta e as ekipet e Kërkim Shpëtimit Malor nuk arritën ta largojnë trupin e pajetë.

Pasi viktima ishte pjesë e komunitetit egjiptian, Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane shpreh indinjatën për vonesën e nxjerrjes së trupit.

Derisa shton se është për keqardhje që pjesëtarët e këtij komuniteti vazhdojnë të kryejnë këso punë të rënda për mbijetesë.

Detaje për operacionin e ndërlikuar të nxjerrjes së trupit ka dhënë Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

Sipas njoftimit të ShKShMK-së, thirrja për ndihmë ishte pranuar nga Policia e Kosovës, e cila ka raportuar për një aksident në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.

“Për shkak të thellësisë, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha palëve kompetente për nxjerrjen e viktimës”, është thënë nga ShKSHMK.

Në fund, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimës.

Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës e Prokuroria Themelore në Pejë, por që nuk kanë dhënë detaje shtesë për rastin.

Ndërkaq me urdhër të Prokurorit, trupi është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore./teve1