Bastisje në KRU “Gjakova” dhe në shtëpinë e Hasan Krasniqit për keqpërdorime dhe mashtrim

Bastisje në KRU “Gjakova” dhe në shtëpinë e Hasan Krasniqit për keqpërdorime dhe mashtrim

Kronika September 29, 2025 - 14:38

Prokuroria Speciale, bashkë me Policinë e Kosovës, realizuan urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku bënë një urdhër kontrolli në objektin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie.

Sipas komunikatës së përbashkët, hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal.

“Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale (dokumente), të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin. Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’; ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’; ‘Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore’; ‘Konflikt i interesit’ dhe ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.