Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave të luftës

Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave të luftës

Kronika September 26, 2025 - 16:17

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar të premten se në lokacionin Lugjet e Nekës në Bjeshkët e Strellcit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.

Sipas njoftimit thuhet se, informatat për lokacionin janë pranuar nga qytetarët. Me urdhër të prokurorit, mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për  ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së. raporton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës, të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.

Informatat e pranuara nga qytetarët janë adresuar në bashkëpunim me Sektorin e Policisë për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it. Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces.

Për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse.