Aktakuzë ndaj dy kosovarëve, bënin thirrje publike për t’iu bashkuar ISIS-it

Aktakuzë ndaj dy kosovarëve, bënin thirrje publike për t’iu bashkuar ISIS-it

Kronika September 26, 2025 - 12:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër D.B. dhe E.B. për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës, D.B. dhe E.B., përmes rrjeteve sociale “Facebook” dhe “TikTok” , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik”.

“D.B., sipas provave, ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi dhe t’u vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B. /Zëri