Hoxha: Shumë jetë janë humbur nga armët ilegale, qëndroni larg tyre

Hoxha: Shumë jetë janë humbur nga armët ilegale, qëndroni larg tyre

Kronika September 26, 2025 - 10:35

Policia e Kosovës ka shkatërruar disa armë të vogla dhe të lehta ilegale.

Në ceremoninë e shkatërrimit, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka theksuar rrezikun që paraqesin armët ilegale për shoqërinë dhe ka bërë thirrje për largim nga to.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, i cili ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e Policisë në këtë proces.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se që nga viti 1999 e deri më sot janë konfiskuar mbi 36 mijë armë, duke theksuar se vetëm nga viti 2005 janë shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata, si dhe mijëra municione.

“Armët ilegale janë rrezik për shoqërinë tonë, janë rrezik për familjet tona, fëmijët tanë, ato nuk krijojnë siguri, krijojnë më shumë pasiguri. Shumë jetë janë humbur për shkak të përdorimit të armëve ilegale. U bëjmë thirrje gjithë qytetarëve tanë që të qëndrojnë larg nga armët ilegale… qytetarëve sidomos të rinjve u bëjmë thirrje të qëndrojnë larg armëve, një thënie e popullit tonë thotë se ‘arma aq sa ka tytën aq e ka edhe nafakën’, andaj i bëjmë thirrje gjithë atyre që të qëndrojnë larg armëve. Deri më tash Policia e Kosovës që nga viti 2005 e deri më sot ka shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata. Dhe po ashtu me mijëra municione, 235 mijë copë municione janë shkatërruar përmes këtij procesi”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë Nuno Queiros theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër armëve ilegale.

“Faleminderit e sinqertë për përkushtimin dhe partneritetin tuaj në misionin tonë të përbashkët për të shkatërruar armët ilegale të konfiskuara. Përpjekjet tuaja kontribuojnë drejtpërdrejt në komunitete më të sigurta dhe në përpjekjen tonë për paqe, drejtësi dhe institucione të forta. Qëllimi ynë është të promovojmë shoqëri paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe kjo kërkon një reduktim të ndjeshëm të përdorimit të armëve të paligjshme në të ardhmen tonë. Dhe kjo, për ata që punojnë në këtë fushë, reflektohet në draftin e ri të Hartës Rajonale për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, si dhe në Agjendën tonë Globale për Çarmatimin”, tha Queirosi. /EO

Image
Image