Rigjykimi i tretë për vrasjen e 2017-ës në qendër të Prishtinës, dy të akuzuarit mbrohen në heshtje
Foto: Laura Hasani

Rigjykimi i tretë për vrasjen e 2017-ës në qendër të Prishtinës, dy të akuzuarit mbrohen në heshtje

Kronika September 24, 2025 - 14:21

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën në rigjykimi i tretë për rastin e vrasjes së N.S., në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017, të Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu shfrytëzuan të drejtën të mbrohen në heshtje.

Dy të akuzuarit thanë se mbesin pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar dhe se mbrohen në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar eksperti i balistikës, Labinot Mazreku, pas aprovimit të propozimit të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Fanol Krasniqi në seancën e 17 qershorit 2025,

Mazreku dha sqarime lidhur me ekspertizën e përpiluar nga shqyrtimi i kaluar. Lidhur me fotografinë e lisit i cili ishte qëlluar me predhë, e cila provë u gjet në vendin e ngjarjes, Mazreku theksoi se nga ajo që shihet në fotografi është e pamundur të përcaktohet nëse ishte goditje direkte apo rikoshetim, ndërsa rikonstruimi i vendit të ngjarjes kishte ndodhur vite më vonë, kur lisi ishte zhvilluar.

“Në bazë të fotografisë nuk mund të konstatohet a është direkte apo e rikoshetuar, ndërsa kur kemi dalë në vëndin e ngjarjes ka qenë pas disa vitesh dhe normal që pemët zhvillohen dhe humbin formën. Mirëpo ne nuk mund të marrim përsipër nëse është apo nuk është e rikoshetuar”, tha eksperti.

Seanca vazhdoi me prezantimin e provave materiale, për të cilat prokurori Bashkim Zaqaj deklaroi se mbetet pranë provave të prezantuara sipas procesverbalit nga shqyrtimi i kaluar.

Ndërsa, avoakti Krasniqi kërkoi që të bëhet shikimi i video-incizimeve të vendit të ngjarjes, propozim të cilin trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi e refuzoi me arsyetimin se janë shikuar në shqyrtimin e kaluar, ndërsa një kërkesë e tillë vetëm e zvarritë çështjen. Megjithatë, trupi gjykues do t’i vlerësojë video-incizimet me rastin e vendosjes.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Agron Vllasaliu gjendej në arrati.

Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Më pas, Themelorja më 11 tetor 2024 pasi ua ricilësoi veprën penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Ahmetin dhe Vllasaliun i dënoi me nga 16 vjet burgim. Por, rasti është kthyer sërish në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku. /BetimipërDrejtësi