
120 mijë euro dyshohet se u vodhën në një fshat të Gjakovës
Një rast i rëndë i vjedhjes është raportuar se ka ndodhur mëngjesin e së martës në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi private, duke vjedhur një armë zjarri dhe një shumë të konsiderueshme parash.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.
“Sot është raportuar se në fshatin Novosellë e Epërme, komuna e Gjakovës, persona të panjohur rreth orës 08:30 kanë depërtuar në një shtëpi ku kanë vjedhur një armë zjarri (pistoletë) me nëntë copë fishekë, si dhe një shumë të konsiderueshme parash. Njësitë përkatëse policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, ka deklaruar Elezaj.