
Aktakuzë ndaj gjashtë personave që sulmuan me granata policët në veri
Gjashtë persona nga sot janë në ndjekje penale nga Prokuroria Speciale e Kosovës pasi ndaj tyre u ngrit aktakuzë nën dyshimet se të njëjtit më 13 tetor të vitit 2021 kanë marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, dhe kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
Madje sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., i kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë thuhet se janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore.
Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore.
“Në të njëjtën ditë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare. Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale për aktakuzën e ngritur ndaj këtyre gjashtë personave.