
Dy zyrtarë policorë gjejnë 500 euro në Shtime, ia kthejnë pronarit
Të hënën rreth orës 17:00, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime, dy policë të stacionit policor atje kanë gjetur në tokë një shumë parash: katër kartëmonedha nga 100 € dhe dy kartëmonedha nga 50 €, me vlerë totale prej 500 €.
Paratë janë dërguar menjëherë në stacionin policor dhe është njoftuar menaxhmenti i stacionit, i cili përmes kamerave të sigurisë është identifikuar personi që i kishte humbur paratë, transmeton Zeri.info.
“Nëpërmjet kamerave të sigurisë është identifikuar personi që i kishte humbur paratë, i cili ishte larguar me një automjet me targa të huaja. Pas verifikimit, është konstatuar se bëhet fjalë për një 32-vjeçar, L.R., nga komuna e Shtimes, i cili është paraqitur në Polici dhe i janë kthyer paratë të humbura”.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon dy pjesëtarët e Policisë së stacionit në Shtime për gjestin e tyre human dhe shembullor, duke dëshmuar përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe respektim të vlerave profesionale”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Policia ka vlerësuar se ky akt rrit besimin e qytetarëve dhe kontribuon në forcimin e imazhit të Policisë së Kosovës si institucion i përgjegjshëm dhe i besueshëm. /Zëri

