
Rasti i “AlbKings”, Prokuroria: Ata që janë dënuar me gjobë nuk kanë pasur rol vendimtar në grup
Një numër i madh i Organizatave JoQeveritare dhe Mediave, kanë reaguar ndaj Prokurorisë së Prishtinës, lidhur me kërkesën për dënimin e anëtarëve të grupit famëkeq “AlbKings”, të cilët kishin ngacmuar gazetaren A.A.
Në reagimin e OJQ-ve dhe mediave, thuhet se propozimi i organit të akuzës për dënimin e këtij grupi konsiderohet se është shumë i ulët.
Më 18.09.2025, Prokuroria e Prishtinës ka paraqitur në gjykatë marrëveshjen me të pandehurit, të cilët planifikohet të dënohen vetëm 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro gjobë për shqetësimin e vazhdueshëm të gazetares. Tre të pandehurit ishin arrestuar nga Policia në operacione speciale.
Në reagimin e tyre, aktivistët e shoqërisë civile i kanë kërkuar Gjykatës së Prishtinës të hedhë poshtë këtë marrëveshje, duke kërkuar ndëshkim meritor për kryerësit e kësaj vepre.
“Nga ky njoftim kemi kuptuar se një grup prej tre ngacmuesish të gazetares dhe shumë vajzave të tjera, potencialisht viktima të grupeve pornografike në rrjetin “Telegram”, siç ishte grupi “AlbKings”, parashihet të dënohen vetëm me nga 2,500 euro gjobë, bazuar në një marrëveshje të paprecedentë të lidhur ndërmjet ngacmuesve dhe Prokurorisë së Prishtinës, e përfaqësuar nga prokurorja Elza Bajrami. Marrëveshja është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Zejnullah Gashi”- thuhet në reagim.
Këto organizata, kanë potencuar se për vlerësimin e tyre është shumë e qartë se për këtë vepër ligji parashikon dënim deri në 3 vjet burgim, mirëpo Prokuroria e Prishtinës ka pranuar një dënim skajshëm minimal, i cili nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe etik për situatën.
“Në këtë rast, Prokuroria ka trajtuar ngacmimin ndaj një gazetareje si një çështje të zakonshme dhe pa pasoja për të mirën publike. Dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike, të cilat tashmë kanë shkaktuar qindra viktima tek vajzat dhe gratë e Kosovës, edhe një herë dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave”- thuhet në reagimin e OJQ-ve.
Përmes këtij reagimi, u kërkua nga Gjykata e Prishtinës që gjatë shqiptimit të dënimit mos të merret parasysh dakordimi në mes të akuzuarve dhe Prokurorisë së Prishtinës.
Derisa sot, ka reaguar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, duke dhënë sqarim lidhur me këtë propozim.
Organi i akuzës pretendimet e OJQ-ve i konsideron keqinterpretime, transmeton Klankosova.tv.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka përcjell me vëmendje reagimet në media lidhur me procedurën gjyqësore kundër të pandehurve për veprën penale “Ngacmimi”, ku e dëmtuar është gazetarja A.A. Me qellim të informimit të drejtë të publikut dhe njoftimit lidhur me keqinterpretimet dhe keqinformimet e bëra nga një reagim në letër i rrjetit të OJQ-ve, sa i përket çështjes penale të njohur si “Albkings”, e njoftojmë opinionin publik se rasti i njohur Albkings”, është ndarë në dy pjesë ku njëra është trajtuar ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit dhe çështja penale tjetër, është zhvilluar ndaj anëtarëve të identifikueshëm të grupit “Albkings”, por të cilët nuk kanë pasur kompetenca administrative në grupin e hapur”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Rrjedhimisht çështja penale ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit “Albkings” ka përfunduar me Aktgjykim dënues, me burgime efektive për të akuzuarit në Gjykatën e shkallës së parë, ku e dëmtuar ka qenë edhe gazetarja për të cilën është bërë reagimi i rrjetit të OJQ-ve.
Ndërsa në çështjen penale për të cilën është lëshuar reagimi i rrjetit të OJQ-ve, njoftojmë opinionin publik se të akuzuarit në këtë rast nuk kanë qenë themelues as administrator të grupit por anëtarë të cilët janë identifikuar si persona që kanë komentuar dhe shkëmbyer informata dhe kanë telefonuar të dëmtuarën, për çka edhe është zhvilluar hetimi dhe është intervistuar e dëmtuara, dhe ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë edhe ekzaminimin e telefonave të tyre.
Tutje në reagimin e Prokurorisë, theksohet se gjatë fazës së hetimit, prokurori i shtetit me kërkesën e të pandehurve dhe obligimet ligjore nga neni 230 të KPPRK-së, ka nisur negociatat për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe për të njëjtat negociata konform këtij neni e ka njoftuar të dëmtuarën për të drejtën që të paraqes kërkesën pasurore juridike e cila kërkesë ka qenë e inkorporuar në këto marrëveshje.
“Duke pasur parasysh faktin se vepra penale në fjalë është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në 3 vite si dhe faktin se të pandehurit për herë të parë kanë kryer vepër penale dhe kanë pranuar fajësinë nga faza e parë si dhe duke pasur parasysh edhe praktiken gjyqësore në lidhje me dënimet për vepra të tilla penale, prokurori i shtetit ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e një dënimi të tillë, i cili dënim është aprovuar si i ligjshëm edhe nga Gjykata”.
Prokurori i Shtetit njofton opinionin se nuk është obligim i Prokurorit të Shtetit që të kërkojë miratim të palës së dëmtuar në lidhje me dënimin ndaj të akuzuarve, përveç obligimit për ta trajtuar kërkesën pasurore juridike.