
Kërkohet paraburgim për katër anëtarët e familjes Gërbeshi në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për katër personat e arrestuar në operacionin në Vushtrri, të cilit ishin anëtarë të familjes Gërbeshi.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se gjatë operacionit të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë, dy palë dylbi, shtatë telefona celularë, një shkop druri, një palë dorëza, një thikë, dokumente të ndryshme, një pasaportë, një patentë shofer, një USB, një llaptop, një palë patike dhe një çelës motori.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, caktimin e paraburgimit për të pandehurit me iniciale Rr.G., A.G. dhe E.G., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale veprës penale ‘Detyrimi’, si dhe për personin me iniciale K.G., për veprat penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’ dhe ‘Arratisja e personave të privuar nga liria’.
Të katër (4) të pandehurit janë arrestuar ditën e djeshme, datë 21 shtator, në një operacion të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me ç’rast janë kontrolluar lokacione në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe në qytetin e Vushtrrisë.
Të pandehurit, me vendim të prokurorit, gjenden në ndalim 48-orësh, ndërkaq seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet në Gjykatën Themelore Mitrovicë – Dega Vushtrri”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.