
Rasti “AlbKings”, Gjykata dënon me shtatë mijë euro gjobë tre të akuzuarit
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues, përmes të cilit të akuzuarit Arjan Tahiraj, Besart Ramabaja e Veton Alshiqi u shpallën fajtorë për rastin e njohur si “AlbKings” dhe u dënuan me 7 mijë euro gjobë (së bashku).
Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi Fisnik Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tahiraj u dënua me gjobë prej 2 mijë eurosh, kurse Ramabaja dhe Alshiqi me nga 2 mijë e 500 euro gjobë.
Gjykatësi njoftoi se të akuzuarit në rast se nuk paguajnë dënimin me gjobë, u zëvendësohet me burg, ku një ditë burg llogaritet për 20 euro.
Gashi njoftoi se pala e dëmtuar udhëzohet që realizimin kërkesës pasurore-juridike ta bëjë në procedurë të rregullt juridiko-civile.
Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale të “Ngacmimit”, ku Tahiraj dhe Ramabaja paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërkaq Alshiqi e ka pranuar fajësisë në Gjykatë.
Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishin asnjëri nga të akuzuarit, si dhe askush nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.