
Në Shkup u protestua kundër dhunës dhe vrasjes së grave
Vrasjet e grave në Maqedoninë e Veriut, nxitën sot që shoqatat për mbrojtjen, lirinë dhe feminizmin të protestojnë para Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.
Kalia Dimova nga portali feminist 'Medusa" tha se institucionet janë fajtorë për mosveprim në kohë kur po ndodhin raste dhune apo vrasje.
"Një tjetër femicid ka ndodhur dhe fajtore janë të gjitha institucionet kompetente që me vite kanë injoruar, minimizuar, relativizuar, inkurajuar dhe lejuar dhunë të vazhdueshme ndaj grave. Fajtor janë edhe policia, qendrat për punë sociale, prokuroria dhe gjykatat. Fajtor është edhe sistemi arsimor, i cili në vend që të promovojë barazinë gjinore, solidaritetin dhe empatinë dhe të dënojë dhunën në baza gjinore, me qasjen e tij kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e seksistëve dhe abuzuesve", tha Dimitrova.
Protesta filloi pas rastit të vrasjes dhe vetëvrasjes së dyfishtë në Veles.
Më 15 shtator 2025, R.K. (31) nga Velesi u vra nga ish-partneri i saj I.S (39) nga Shkupi, të cilin e kishte denoncuar disa herë për dhunë.
Organizator i protestës është Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Dimitrovës, përveç mungesës së tmerrshme të koordinimit dhe shmangies nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e dhunës ndaj grave, femicidi shkaktohet edhe nga heshtja, stigma, turpi dhe mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë kolektive.
“Ky është një problem i zakonshëm, prandaj kjo vdekje është rezultat i neglizhencës institucionale dhe sociale. Ky nuk është një rast i izoluar, por rezultat i jetës së përditshme që dehumanizon gratë. Zgjedhja për t’i besuar abuzuesit në vend të viktimës kontribuon drejtpërdrejt në përshkallëzimin e dhunës”, tha Dimitrova.