
Gjykimi në rastin “53-milionëshi”, ish-drejtori i Zyrës Ligjore në MI thotë se kishte presion me rastin e përpilimit të opinionit ligjor
Në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, të enjten u dëgjua dëshmitari Avdi Kamerolli, ish-drejtor i Zyrës Ligjore në Ministri të Infrastrukturës, i cili tha se ka pasur presion që të përpilojë opinionin ligjor që “Bechtel & Enkas” t’i njihet e drejta në borxh prej 63 milionë eurosh.
“Sërish kanë insistu, u ba presion në mua”, tha Kamerolli.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Kamerollit, presioni ishte në kuptimin që po i bëhet bllokadë punës së Ministrisë së Infrastrukturës.
“Pra, kemi pas mospajtime, presione, po e bllokon punën e kabinetit e ministrit, po i bllokon politikat e kabinetit të ministrit”, shtoi Kamerolli.
Sipas tij, ishte detyruar që për një ditë të përpilojë opinion ligjor për një projekt tepër të madh dhe shumë voluminoz, sa që sipas tij, vetë kompania mbikëqyrëse e projektit “Hill International” nuk do të mund ta bënte opinionin edhe pse është marrë me projekt.
Ai tha se ka përpiluar dy opinione, ku në të parin ka sqaruar se për opinion ligjor lidhur me kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën prej 63 milionësh, ka specifikuar që t’i drejtohen Hill International.
Dëshmitari Kamerolli tha se i akuzuari Berisha ka kërkuar që të largojë pjesën e Hill International, meqë rast tha se e ka bërë duke e larguar dhe duke e lënë vetëm kompaninë përkatesë mbikëqyrëse e projektit.
Kamerolli tha se për shkak të opinionit ligjor që kishte refuzuar ta lëshojë, siç e kishte kërkuar kabineti i ministrit Lekaj, nuk ka ushtruar pozitën e tij dhe se vetëm 9 ditë pasi që kishte ardhë Qeveria e re, ishte kthyer në vend pune.
Dëshmitari tha se ishte vetëm ai dhe i akuzuari Berisha kur ishte ushtruar presion, por që Berisha tha se sipas dëshmitarit Argjend Zejnaj, ka qenë edhe ai personalisht kur kanë biseduar për opinionin ligjor.
Kamerolli tha se i gjithë opinionin ligjor i përpiluar nga ai, ishte i bazuar në shkresa të tjera dhe se në fund të tij ka sqaruar se opinioni është jomeritor për rastin, pasi që nuk është i specializuar për të dhënë atë opinion.
Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.